Manifestim Tradicional me rastin e 22 Nëntorit-Ditës së Alfabetit Shqip

INQK “Koço Racin” – Kërçovë më 22 Nëntor 2025 organizoi me sukses Manifestimin Tradicional kushtuar Ditës së Alfabetit Shqip – një nga ngjarjet më domethënëse kulturore dhe historike për kombin tonë.
Ky aktivitet, i zhvilluar të shtunën më 22.11.2025, në orën 17:00, mblodhi nxënës, mësues, artistë dhe dashamirës të kulturës shqipe në një atmosferë festive dhe inspiruese.

Dita e Alfabetit Shqip është shumë më tepër se një datë në kalendar – ajo është ditëlindja e gjuhës së shkruar shqipe, një simbol i dritës së dijes, i bashkimit kombëtar dhe i kujtesës historike që na rikthen te Kongresi i Manastirit të vitit 1908, ku u vendos themeli i alfabetit tonë të përbashkët.

Programi artistik

Manifestimi u pasurua me këngë, valle, poezi dhe interpretim artistik nga nxënësit e shkollave të Kërçovës dhe rrethinës, përfshirë:

  • SHMK “Drita” – Kërçovë
  • SHFK “Sande Shterjoski” – Kërçovë
  • SHFK “Rexhë Rushit Zajazi” – Zajaz
  • SHFK “Faik Konica” – Greshnicë
  • SHFK “Milto Gurra” – Garanë
  • SHFK “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Sërbicë
  • SHFK “Naim Frashëri” – Jagoll–Tuhin

Gjithashtu, pjesë e programit ishin edhe artistët e Shkollës së Valleve Popullore dhe orkestrës së Qendrës së Kulturës – Kërçovë, nën udhëheqjen e koreografëve Avni dhe Xheneta Zeneli, si dhe profesorit të muzikës, Burim Mehmedi.

Falë përkrahjes së Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe përkushtimit të organizatorëve e interpretuesve, aktiviteti u shndërrua në një manifestim dinjitoz, të denjë për festimin e gjuhës dhe identitetit tonë kulturor.

Event Link

https://facebook.com/events/s/manifestimin-tradicional-me-ra/1509919276977975

Foto Album

https://www.facebook.com/share/p/16Za5h9iuH

Media

https://www.facebook.com/share/v/1EX7aN4DiS

https://www.facebook.com/share/v/1Fb1nkoCE5

You may also like...